Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
BESIMTARI MË I MIRË

Vëllezër të nderuar besimtarë! [Hyrje] Feja islame është fe e përsosjes së vlerave dhe virtyteve. Nuk ka virtyt që ekziston e që Islami të mos e ketë sjellë në formën më të mirë të mundshme të tij. Ky është edhe misioni me të cilin u dërgua Profeti Muhamed ﷺ. Allahu i madhëruar thotë: ‎﴿ هُوَ الَّذِي بَعَثَ فِي الْأُمِّيِّينَ رَسُولًا مِّنْهُمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِهِ وَيُزَكِّيهِمْ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ ﴾ “Është Ai që u solli të analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë…” [Kur’ani: Xhumuah: 2][1] Profeti Muhamed ﷺ ka thënë: إنَّما بُعِثْتُ لأُتممَ صالحَ الأخلاقِ “Jam dërguar për të plotësuar moralin e mirë.”[2] Arsyeja pse virtytet gëzojnë këtë pozitë në fe është se ato prezantojnë më së miri fetarinë tonë të vërtetë. Pra, nuk mund të jesh besimtar i mirë përderisa nuk ke edhe tipare e sjellje të mira. Këto të fundit, në fakt, janë dëshmi e besimit. Më qartë, kush ka besim të fortë, ka tipare të çmuara. Kështu na ka mësuar Profeti ynë, Muhamedi ﷺ: أكْملُ المؤمنينَ إيمانًا أحسنُهُم خلقًا “Besimtarët me besimin më të përsosur janë ata me moralin më të mirë.”[3] Nga këtu Profeti ynë, Muhamedi ﷺ, kur ka folur për besimtarët më të mirë, i ka klasifikuar sipas tipareve, e më saktë sipas pranisë së tyre pozitive në shoqëri, sipas angazhimit dhe kontributit të tyre për mirëqenien e përgjithshme. Në këtë hytbe, me lejen e Zotit, do të mundohemi që duke cekur disa nga këshillat dhe mësimet profetike, të ndërtojmë një profil të besimtarit të dobishëm. Xhematlinj të nderuar! [Porosia profetike për të qenë i dobishëm] Duke qenë se forma se si sillet e si vepron një besimtar paraqet në fakt besimin e tij, atëherë Profeti Muhamed ﷺ këtij aspekti i kushton rëndësi të madhe, duke e nënvizuar si një nga dëshmitë më bindëse të personalitetit të vyer dhe të çmuar të besimtarit. أحبُّ الناسِ إلى اللهِ أنْفَعُهُمْ لِلنَّاسِ “Njeriu më i dashur tek Allahu është ai që është më i dobishmi për njerëzit…”[4] Nga ky aspekt i dobisë, Profeti ﷺ e ka krahasuar besimtarin me bletën[5], e cila vetëm të mira sjell, sikur që angazhimin e tij për të mirën e të tjerëve e ka vlerësuar në shkallë të adhurimit individual që bëjmë. السَّاعِي علَى الأرْمَلَةِ والمِسْكِينِ، كالْمُجاهِدِ في سَبيلِ اللَّهِ، أوِ القائِمِ اللَّيْلَ الصَّائِمِ النَّهارَ “Besimtari që angazhohet për të përmbushur nevojat e grave të veja dhe varfanjakëve e ka shpërblimin sikur të luftëtarit në Rrugën e Allahut ose sikur të atij që falet natën e agjëron ditën.”[6] Këtë aspekt vlerash Profeti ﷺ e ka kultivuar tek besimtarët duke i nxitur me kompensimin që do të kenë, jo nga njerëzit, por nga Zoti i njerëzve. ومَن كانَ في حَاجَةِ أخِيهِ كانَ اللَّهُ في حَاجَتِهِ “…e kush është në shërbim të përmbushjes së nevojave të vëllait, Allahu do t’ia përmbushë atij nevojat…”[7] Të nderuar besimtarë! [Përshkrimi figurativ i besimtarit të dobishëm] Ky pozitivitet dhe kjo energji për të qenë i dobishëm dhe në shërbim të të tjerëve janë përshkruar në forma të ndryshme nga Profeti ynë, Muhamedi ﷺ. Ndonjëherë besimtari është krahasuar me: bletën, e cila “thith nektarin e pastër, prodhon mjaltin e mirë; e cila po ra në lule nuk e thyen dhe nuk e shkatërron…” [8] palmën “gjethet e së cilës nuk bien”[9], respektivisht kontributi i tij pozitiv është i përhershëm, në çdo kohë dhe vend; gjymtyrët e trupit, respektivisht në raport me të tjerët, gjegjësisht hallet dhe problemet e tyre, është krahasuar si një trup “gjymtyrët e të cilit ndajnë dhimbjen ndërmjet vete nëse ndonjë nga gjymtyrët vuan apo është e sëmurë…”[10] Myslimanë të respektuar! [Shembuj të kontributit që besimtari i dobishëm mund të jep] Fushat ku besimtari mund ta ushtrojë rolin e vet dobiprurës janë të shumta. Ajo që e motivon besimtarin për ta ushtruar këtë rol me kapacitetet më të mëdha të mundshme është lidhja e tij me të tjerët, lidhja vëllazërore, mu ashtu siç Allahu dhe i Dërguari i Tij na mësojnë. Allahu i madhëruar thotë: ‎﴿ إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ إِخْوَةٌ﴾ “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër…” [Kur’ani: Huxhurat: 10] Profeti Muhamed ﷺ ka thënë: المُسْلِمُ أخُو المُسْلِمِ “Myslimani është vëlla i myslimanit…”[11] Dobia e besimtarit nuk është vetëm materiale por e përgjithshme. Madje ajo e vlerave dhe udhëzimit vlerësohet shumëfish ndaj materiales. Po përmendim disa shembuj sa për ilustrim nga të dyja fushat, morale e materiale: përmbushja e nevojave materiale (siç përmendëm më lart); largimi i brengave: “…e kush ia largon myslimanit një brengë (të kësaj bote) Allahu do t’ia largojë një brengë nga ato të Ditës së Kiametit….”[12]; mësimi i ndonjë dije, e veçmas atyre fetare: “Më i miri ndër ju është ai që e mëson Kur’anin për vete dhe ua mëson të tjerëve.”[13]; ta gëzojë dhe ta bëjë të lumtur: “…Vepra më e dashur tek Allahu i madhëruar është gëzimi që e fut në zemrën e besimtarit…”[14] duke u interesuar për të, duke e vizituar apo duke i bërë ndonjë shërbim që e kënaq atë dhe e bën të lumtur…; “…apo t’ia mbulojë (paguajë) ndonjë borxh…”[15]; “…apo t’ia largojë urinë…”[16], respektivisht ta ndihmojë materialisht për ta luftuar skamjen dhe varfërinë.; ta largojë ndonjë pengesë nga rruga[17]; ta udhëzojë në rrugë të drejtë një të huaj[18], e shumë e shumë mënyra tjera. Vëllezër të nderuar! [Mesazhi përmbyllës] Nga këto përshkrime që bëmë, mund të konstatojmë se personaliteti i besimtarit është i kompletuar. Besimi i tij nuk ndahet nga veprat e tij, përkundrazi, reflekton fuqishëm në to duke e stolisur me tipare të këtilla të çmuara. Rëndësia e kësaj nuk përmblidhet thjesht për individin por edhe për fenë pasi që është një nga mënyrat më bindëse të kumtimit të saj. Jo rastësisht fjalët e para që përzgjodhi Profeti ynë ﷺ posa arriti në Medinë ishin pikërisht të kësaj natyre: “O ju njerëz, përhapeni selamin në mesin tuaj, jepni ushqim, mbani lidhjet farefisnore…”[19] Pra, jini të dobishëm! Në këtë kohë kur krizat kanë shpërthyer duke vërshuar e përmbytur shoqëritë, thirrja për të qenë të dobishëm duhet të dëgjohet më shumë se kurdoherë dhe përgjigja ndaj saj duhet të jetë më e madhe se kurdoherë më parë. Duke qenë të dobishëm na do Allahu dhe na duan robërit e Tij! [1] Shih edhe: Kur’ani: Bekare: 129; 151: Al Imran: 164. [2] Hadithin e shënojnë Ahmedi në Musned, nr. 8952, dhe të tjerë, ndërsa Albani e ka saktësuar në Essilsiletu essahiha, nr. 45. [3] Hadithin e shënon Tirmidhiu në Sunen ndërsa Albania në Sahihu et Tirmidhij, nr. 1162, e konsideron hasen sahih. [4] Hadithin e shënon Taberaniu në El mu’xhem el eusat, nr. 6026 ndërsa Albani në Essahihah, nr. 906, e saktëson. [5] Shih: Musnedi i Ahmedit, nr. 6872. Ahmed Shakiri e ka saktësuar këtë hadith. [6] Buhariu, nr. 5353; Muslimi, nr. 2982. [7] Buhariu, nr. 2442; Muslimi, nr. 2580. [8] Shih: Musnedi i Ahmedit, nr. 6872. Ahmed Shakiri e ka saktësuar këtë hadith. [9] Buhariu, nr. 4698; Muslimi, nr. 2811. [10] Buhariu, nr. 6011; Muslimi, nr. 2586. [11] Buhariu, nr. 2442; Muslimi, nr. 2580. [12] Po aty. [13] Buhariu, nr. 5027. [14] Hadithin e shënon Taberaniu në El mu’xhem el eusat, nr. 6026 ndërsa Albani në Essahihah, nr. 906, e saktëson. [15] Po aty. [16] Po aty. [17] Shih: Muslimi, nr. 35. [18] Shih: Buhariu, nr. 2891. [19] Sahihu Ibni Maxheh, nr. 2648. Hadithi është i saktë.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013